Halimi e LDK-së për marrëveshjen rreth veriut: Ilustrim i zhurmës e propagandës, dëmet janë zor të riparueshme - NACIONALE

Halimi e LDK-së për marrëveshjen rreth veriut: Ilustrim i zhurmës e propagandës, dëmet janë zor të riparueshme

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sibel Halimi, zëdhënëse politike e LDK-së, e ka komentuar marrëveshjen e Qeverisë së Kosovës me emisarin special të BE-së, Miroslav Lajçak. Në një përgjigje për Nacionalen, zonja Halimi vlerësoi se marrëveshja e arritur për shtensionimin e situatës e shpërfaq qasjen populiste të Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës.

“Marrëveshja e arritur shpërfaq qasjen populiste të Albin Kurtit. Dëmet që ia ka shkaktuar shtetit në pozicionin ndërkombëtar dhe të ardhmen euroatlantike për shkak të lojës së tij politike, janë zor të riparueshme. Për fatkeqësinë e vendit dhe qytetarëve, kjo garniturë qeverisëse nën udhëheqjen e Albin Kurtit nuk do të mund të bëjë asnjë veprim në dobi të shtetit pa krijimin e krizave. Karriera politike e Albin Kurtit është e krizave dhe si e tillë do të përfundoj.” – theksoi zonja Halimit.

Tutje, ajo ka treguar se çfarë ka insistuar LDK-ja gjatë gjithë kohës së tensionimit në veri.

“LDK gjatë gjithë kohës ka insistuar për një pozicionim më të mençur të qasjes së qeverisë jo vetëm karshi dialogut, por edhe të menaxhimit të tërësishëm të këtij procesi. Asgjë më mirë se sa kjo marrëveshje nuk e ilustron zhurmën, propagandën dhe lojën e rrezikshme të Kurtit karshi çështjes së Kosovës. Gjithë narrativen dhe veprimet e marrura në fund bien karshi asaj që e proklamon dhe që do të duhej të ndodhte pa qenë të nevojshme krizat dhe humbjet e shkaktuara që ia ka bërë vendit.” – theksoi ajo.

“Kurti bënë hapa prapthi ashtu siç din ai, porse vendi nuk përparon, sepse ai me një kastë popullistësh ia kanë vjedhur kohën dhe miqtë Kosovës!” – shtoi zonja Halimi.

Lajme të ngjashme