Halimi e LDK-së për dy vjet qeverisje të Kurtit: Mashtrimi iu shpërfaq shpejt e premtimet i shkeli një nga një
Zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi në dy vjetorin e Qeverisë Kurti ka thënë se janë bërë dy vjet qeverisje propaganduese.
Halimi përmes një postimi në Facebook ka thënë se pushtetin vazhdon me avazin e vjetër, përderisa ka ikje të qytetarëve nga vendi.
“Dy vjet qeverisje propaganduese. Dy vjet më parë numrat u shndërruan në shpresë, ndërsa sot shpresa është ikje e qytetarëve nga vendi, e pushteti vazhdon me avazin e vjetër, prodhimin e realiteteve paralele nga makineria e agitprop-it. Qendra e ndryshimit të premtuar nuk ishte Kuvendi e as Qeveria e Republikës së Kosovës, por selia e partisë Vetëvendosje ku stisej prosperiteti që fyen realitetin. Të ngujuar në të kaluarën, do të mbetët partia e histerisë së historisë, që asnjë shenjë për të mirë nuk e lë askund, përpos retorikës boshe duke mbjellë urrejtje, përçarje e polarizim shoqëror.” – ka shkruar ajo.
Tutje Halimi ka thënë se Qeveria e Kosovës kanë lëkundur gjithë themelin e vlerave të shtetësisë, duke u tallur dhe vetëkënaqur në emër të numrave të tyre abstrakt.
“Gjithmonë nga perspektiva e së kaluarës, lëkunden gjithë themelin e vlerave të shtetësisë së Kosovës, duke u tallur e vetëkënaqur në emër të numrave të tyre abstrakt. Nga liria e mendimit dhe shprehjes së lirë e shndërruan mendimin kritik në një tabelë qitjejeje për këdo që ia drejtoi gishtin për paaftësinë. E me gjithë alarmin nga të gjithë sektorët, partia në pushtet nuk braktisi vetëm hallet e qytetarëve, por edhe vet identitetin mbi të cilën e ndërtoi veten tjetër, të idealeve të drejtësisë.” – ka shkruar ajo.
Tutje ka thënë se mashtrimi i Kurtit është shpërfaqur shpejt e premtimet i kanë shkelur një nga një.
“Mashtrimi iu shpërfaq shpejt e premtimet i shkeli një nga një, kurse idealet i shndërroi në telenovelë fluskash! Kosova, shoqërisht është më lartë se spiralja e paaftësisë së partisë në pushtet dhe mësynë më shumë e më mirë, prandaj qytetarët do të ‘vetëmenaxhohen’ së shpejti, duke e shpëtuar veten e shtetin!” – ka përfunduar Halimi.
