Halimi e LDK-së: Konjufca s'e përmendi në fjalim Rugovën, e turpshme dhe ofenduese - NACIONALE

Halimi e LDK-së: Konjufca s'e përmendi në fjalim Rugovën, e turpshme dhe ofenduese

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, ka mbajtur një fjalim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë gjatë mbajtjes së mbledhjes së përbashkët të dy kuvendeve të të dy shteteve tona.

Konjufca gjatë fjalimit të tij ka përmendur heronjtë kombëtarë, por jo edhe presidentin e parë të Kosovës, Ibrahim Rugovën.

Në lidhje me këtë ka reaguar zëdhënsja e LDK-së, Sibel Halimi, duke e quajtur veprim të turpshëm dhe ofendues.

"Ndaj e shoh të pavend dhe ofenduese, që në fjalimin e sotëm të Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, nuk u përmend askund kontributi madhor i atit themeltar të Republikës sonë, Presidentit Ibrahim Rugova”, ka shkruar Halimi.

Tutje, ajo ka shtuar se zyrtarët shtetërorë e kanë për detyrë ta pasqyrrojnë saktë të kaluarën e vendit.

Postimi i saj i plotë:

Historia nuk është përplotësuese e dëshirave momentale të politikanëve të rëndomtë. Ajo nuk mund të shërbejë si ideologji e interesave ditore. Harrimi i qëllimshëm i saj është përpjekje për ta manipuluar vetëdijen kolektive të një kombi. Diçka që nuk e toleron sidomos studimi i filozofisë. Ajo s'mund të rishkruhet. As të shtrembërohet dhe deformohet. Ajo duhet të njihet siç ka qenë. Të respektohet e promovohet si vlerë.

Ndaj e shoh të pavend dhe ofenduese, që në fjalimin e sotëm të Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, nuk u përmend askund kontributi madhor i atit themeltar të Republikës sonë, Presidentit Ibrahim Rugova.

Anashkalimi i Presidentit historik, projektuesit të paqes dhe shtetit të Kosovës nga fjalimet e liderëve nuk tregon asgjë tjetër, pos vogëlsi. Figurat e rëndësishme e kontribuese për lirinë e pavarësinë e vendit, duhet t'i tejkalojnë inatet apo ideologjitë personale e partiake, duke e pasqyruar saktë të kaluarën tonë të përbashkët.

Me sa duket, filozofi gjerman Hegeli me të drejtë kishte shkruar se "historia na ka mësuar se njerëzit dhe qeveritë nuk kanë mësuar asgjë nga historia".

Lajme të ngjashme