Hajdari për informacionet që s’po ia jep Komisionit për rezerva: Nuk e shkeli ligjin
Minstrja e Industrisë, Rozeta Hajdari, thotë se janë të gatshëm të ndajnë informacionet e kërkuara nga Komisioni Hetimor për rezerva shtetërore, ‘përveç atij të klasifikuar’.
Rreth informacioneve që po ia kërkon Komisoni e Ministria nuk po i jep, Hajdari tha se ‘është e përkushtuar ta mbrojë ligjin’.
“Ju udhëzoj t’i pyesni të gjithë anëtarët e Komisionit Parlamentar Hetimor për mënyrën e zbatimit të ligjit parlamentar për hetime, për mënyrën e procedurave të përkrahjes së atij ligji, pra për ta respektuar ligjin se si kryhet një hetim parlamentar. Ne si MINT jemi të hapur për çdo informacion të kërkuar sipas legjislacionit në fuqi për rezervën shtetërore dhe për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar. Unë jam e dedikuar ta mbroj ligjin dhe nuk do ta shkel në as një moment ligjin për rezervën shtetërore dhe informacion të klasifikuar. MINT nuk mund të përgjigjet në pyetjet që shkelin privatësinë ose konfidencialitetin e rezervës shtetërore që është një nga shtyllat me të brishta të shtetit tonë. Ne jemi të dedikuar që të mbrojmë Republikën tonë dhe ligjet tona”, tha Hajdari në një konferencë për media sot.