Gutierrez i kërkon Kurtit të anulojë konkursin për Bordin e RTK-së: Mos të ketë njerëz të lidhur me pushtetin
Mehmet Kalisi, është kandidati për anëtar të bordit të RTK-së që mori më së shumti pikë nga Komisioni i Kuvendit të Kosovës.
Ricardo Gutierrez, kryetari i Federatës Evropiane të Gazetarëve, ka shprehur dyshime mbi këtë favorizim, duke theksuar, se ai e kishte përkrahur partinë në pushtet dhe kryeministrin Albin Kurti.
“...kam disa dyshime për kandidatin më të favorizuar nga partitë politike, Mehmet Kalisin, që është një person i cili publikisht e ka mbështetur partinë në pushtet dhe kryeministrin e Kosovës. Propozimi i tij për të krijuar një agjenci shtetërore të lajmeve brenda transmetuesit publik është projekt i rrezikshëm. Televizioni publik i përket krejt qytetarëve, jo shtetit. Mendoj që kandidati me plane të tilla nuk duhet të bëhet anëtar i bordit të RTK-së.” – tha ai për Nacionale.
Veç kësaj, Gutierrez bëri thirrje që të anulohet procesi aktual i zgjehdjes së anëtarëve të bordit dhe mos të ketë individë që janë të lidhur me pushtetin.
“I bëj thirrje Vetëvendosjes dhe kryeministrit Kurti që të anulojë procesin aktual të zgjedhjes së anëtarëve të bordit dhe të sigurohet që individë si z. Kalisi apo të tjetër që janë të lidhur me partinë në pushtet të mbahen larg bordit të RTK-së...
I kujtoj z. Kurti që puna e mirë e bërë nga partia e tij në zgjedhjen e bordit të transmetuesit publik dy vjet më parë u komprometua kur Rilind Gërvalla, person i lidhur ngushtë me Vetëvendosjen, u zgjodh drejtor i televizionit publik. Autoritetet publike duhet të shmangin politizimin e mëtejmë të RTK-së. Kjo është në të mirë të qytetarëve të Kosovës.” – tha ai.