Guri i përgjigjet Pecit: Mezi po e pres ftesën e Prokurorisë dhe përballjen me ty në gjykatë
Ish-deputeti i LDK-së, Paris Guri, i ka reaguar ish-ministrit të Bujqësisë, Faton Peci.
Ai ka bërë me dije se mezi po pret që të përballet me Pecin në gjykatë.
Në profilin e tij në Facebook, Guri ka shkruar që shpreson se intervistimi i sitëm i Pecit në Prokuroria të mos mbetet me kaq.
“E përshëndes veprimin e Prokurorisë së Kosovës për intervistimin e Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, pas kallëzimit penal që ia kemi bërë për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe keqpërdorim të buxhetit të shtetit. Shpresoj që ky intervistim të mos mbetet me kaq, por të vazhdohet deri në dënimin e merituar për të dhe për të gjithë ata që i kanë futur duart në buxhetin e shtetit. E mirëpres edhe kallëzimin penal të tij ndaj meje për kinse fushatë të orkestruar kundër tij. I vetmi orkestrim në atë rast ka qenë orkestrimi i tij për të shpërndarë paratë e buxhetit te familjarët e eksponentëve të VV-së”, ka shkruar ai, duke folur edhe për pretendimet e Pecit.
“Sa i përket vjedhjes së votave, vetëm një rikujtim për Pecin: Taulant Kelmendi – 918 vota të vjedhura, Arbër Rexhaj – 623 vota të vjedhura, Rea Krasniqi – 540 vota të vjedhura, Albin Kurti – 485 vota të vjedhura, Dafina Elshani – 433 vota të vjedhura, Paris Guri – 564 vota të hequra deri më tash. Mezi po e pres ftesën e Prokurorisë dhe përballjen me ty në gjykatë. S’ka me u ndale asnjëherë duke i denoncu të gjitha hajnitë që i keni bërë.”, ka shkruar ai.