Gucati: Protesta në Hagë do të jetë vazhdimësi e protestës së 7 gushtit në Prishtinë
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka dhënë detaje për protestën që do të mbahet më 14 shtator në Hagë.
Ai ka bërë me dije se kjo protestë do të jetë vazhdimësi e protestës së 7 gushtit, e cila është mbajtur në Prishtinë.
Në emisionin “Kosova Today”, në Klan Kosova, ai ka thënë protesta ka për qëllimin shprehjen e pakënaqësive ndaj Gjykatës Speciale.
“Me kërkesë të bashkëluftëtarëve tanë që i kemi në mërgatë, sidomos në Amerikë dhe në Evropë kanë kërkuar të mbahet një protestë në Hagë, më datë 14 shtator, ditë e diel. Në momentin që ata kanë kërkuar, ne i kemi mbështetur, dhe me të gjitha kapacitetet tona ne jemi në mbështetje të protestës”, ka thënë ai, duke dhënë detaje tjera.
“Ne veçse kemi paralajmëruar për protestën që do të mbahet në Hagë, që do të jetë vazhdim i protestës që u mbajt në Prishtinë më 7 gusht. Unë bëj thirrje, pasi kjo është një protestë gjithë-popullore”, është shprehur ai.