Grupi më i madh i partive evropiane e përkrah Von der Leyen-in për mandat të ri si presidente e KE-së - NACIONALE

Grupi më i madh i partive evropiane e përkrah Von der Leyen-in për mandat të ri si presidente e KE-së

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Grupi më i madh politik evropian të enjten u rreshtua prapa synimit të zonjës Ursula von der Leyen për të siguruar një mandat të ri 5-vjeçar si presidente e Komisionit Evropian.

Nominimi i saj në një tubim të Partive Popullore Evropiane (EPP) në kryeqytetin rumun, Bukuresht, vjen pas zgjedhjeve të qershorit për Parlamentin Evropian. Përkrahja nga ky grup e vë zonjën Von der Leyen në pozitën e favorites për postin e lartë në bllokun me 27 shtete, raporton gazeta “The Guardian”.

EPP-ja pritet që të mbetet blloku më i madh politik pas zgjedhjeve të qershorit, por mbetja e zonjës Von der Leyen në pozitën e presidentes së Komisionit Evropian e kërkon miratimin nga udhëheqësit e shteteve anëtare të BE-së. Pothuajse gjysma e udhëheqësve të shteteve të BE-së bëjnë pjesë në bllokun EPP.

Përderisa takimi dyditor i EPP-së po përmbyllej të enjten, Von der Leyen paralajmëroi për rritjen e pritshme të populistëve në zgjedhjet e këtij viti dhe për përpjekjen e Rusisë “për ta fshirë Ukrainën nga faqja e dheut”.

“Evropa jonë paqësore dhe e bashkuar po sfidohet si kurrë më parë nga populistë, nga nacionalistë, nga demagogë, qoftë e djathta ekstreme ose e majta ekstreme. Emrat mund të jenë të ndryshëm, por qëllimi është i njëjtë. Ata duan që të shkelin mbi vlerat tona dhe duan që ta shkatërrojnë Evropën tonë… EPP-ja nuk do ta lejojë kurrë këtë që të ndodhë” – tha ajo.

Lajme të ngjashme