Gruda: S'mund të instalojmë një standard në shoqëri ku votimi diktohet nga një forcë politike - NACIONALE

Gruda: S'mund të instalojmë një standard në shoqëri ku votimi diktohet nga një forcë politike

1 vit më parë

nga NACIONALE

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, në një intervistë në emisionin "Rubikon" ka kritikuar qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje (VV) lidhur me procesin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, duke thënë se presioni duhet të orientohet drejt ndërrimit të kandidatit dhe jo ndaj deputetëve që votojnë sipas bindjes së tyre.

Sipas Grudës, është e papranueshme që një kandidat të propozohet shtatë herë radhazi, ndërkohë që deputetët të kritikohen për ushtrimin e së drejtës së votës së lirë.

Deputeti i PDK-së theksoi se është thelbësore të ruhet e drejta kushtetuese e votimit të lirë.

"Janë dy palë këtu. Njëra palë insiston të kandidojë të njëjtin person për shtatë herë radhazi, dhe ka të drejtën të propozojë 48 kandidatë – por ka vendosur vetëm njërin. Në anën tjetër jemi ne, që themi se nuk do të votojmë këtë kandidat. Tani, midis kërkesës për të ndërruar kandidatin dhe kërkesës ndaj nesh për të votuar si urdhëron partia në pushtet, mendoj se presioni duhet të bjerë mbi ndërrimin e kandidatit. Pse? Sepse, së pari, nuk mund të instalojmë një standard në shoqëri ku votimi diktohet nga një forcë politike. Nëse ushtrimin e të drejtës sime për të votuar lirshëm e kuptoni si diktat, kjo është gabim. Ushtrimi i të drejtës së deputetëve për të votuar lirshëm, ashtu si e ka përcaktuar Kushtetuta, ju duket imponim. E kundërta është: insistimi ‘voto vetëm këtë’ – ky është imponim.” – tha Gruda në “Rubikon.

Lajme të ngjashme