Gruda për situatën e presidentit: VV ka rënë pre e një standardi që e ka ndërtuar vetë
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, gjatë një paraqitjeje në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, foli për situatën aktuale politike në vend.
Sa i përket zgjedhjes së Presidentit, ai tha se Vetëvendosja ka rënë pre e standardit që e ka ndërtuar vetë, duke e cilësuar atë si qasje jo serioze ndaj proceseve politike.
“Unë mendoj që ajo që ka ndodhur është se Vetëvendosja ka rënë pre e një standardi që e ka ndërtuar vet, standardi të mbrapsht, për t’u tallur me proceset politike dhe mos me marrë seriozisht asnjë proces, në këtë rast procesin e dialogut politik për ta zgjedhur Presidentin e ri”, tha Gruda.
Duke folur për Vetëvendosjen, ai shtoi se kjo parti ka menduar që opozita është e dobësuar nga rezultati i zgjedhjeve dhe se do të votonte këdo që propozohet për President.
“Këta kanë shprehur që opozita është e dërmuar nga rezultati i zgjedhjeve, nuk reziston aspak dhe këdo që e qesin e votojnë, përfshirë edhe Glauk Konjufcën, por nuk ka dalë ashtu”, u shpreh deputeti i PDK-së.