Gruda: Në raportin e DASh-it për Kosovën disa herë gjendet fjalia ‘ndërhyrjet politike në drejtësi’ - NACIONALE

Gruda: Në raportin e DASh-it për Kosovën disa herë gjendet fjalia ‘ndërhyrjet politike në drejtësi’

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Përparim Gruda, e ka vlerësuar si shqetësues raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën.

Ai ka bërë me dije se raporti evidenton edhe ndërhyrjen e politikës në drejtësi.

Në një konferencë për media, Gruda ka thënë se kjo gjë evidentohet disa herë në raport.

“Disa herë në këtë raport gjendet fjalia ‘ndërhyrjet politike në drejtësi’. Kjo tregon qartë për përpjekjet e vazhdueshme të kësaj qeverie për të mbrojtur njerëzit e saj të korruptuar përmes ndërhyrjeve në organet e sistemit të drejtësisë. Një gjë kjo të cilën ne si PDK e kemi thënë vazhdimisht, sot ajo është konfirmuar edhe nga raporti i DASH-it. Ndërkohë, nuk është bërë asgjë për të realizuar reformat e premtuar në sistemin e drejtësisë, nuk ka filluar ende procesi i vettingut dhe kanë vazhduar shkeljet e Kushtetutës”, ka vlerësuar Gruda.

Ai ka përmendur edhe dështimet tjera të Qeverisë që evidentohen në raport.

“Sërish vihet theksi tek dështimet e qeverisë se Kosovës për të zbatuar ligjin në mënyrë efektive. Kjo nënkupton, edhe dështimi për të ndërmarrë masat e nevojshme për të luftuar dhe parandaluar dhunën dhe vrasjen ndaj grave. Po ashtu, kanë munguar edhe programet e integrimit për të mbijetuarit e dhunës me bazë gjinore. Nuk mund të mos përmend këtu se pasi një grua u vra dhe u shpall ditë zie, Ministrja e Drejtësisë gjeti kohë të shkoi në fushatë për tu përzier në zgjedhje në Maqedoni të Veriut. Sikur kjo të mos mjaftonte, ajo vazhdoi ekskursionin e saj politik edhe nëpër shtetet tjera të Evropës, Gjermani e Suedi. Kjo tregon mjaftueshëm për seriozitetin e kësaj qeverie për të trajtuar problemin e vrasjes së grave në Kosovë”, është shprehur Gruda.

Lajme të ngjashme