Greva e punëtorëve të siguriit në QKUK drejt fundit, pritet nënshkrimi i kontratës për tender
Greva e punëtorëve të sigurimit fizik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) pritet të përfundojë nesër, pasi do të bëhet nënshkrimi zyrtar i kontratës për tender me kompaninë fituese. Kështu bëri të ditur kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Azemi konfirmoi se të gjitha procedurat janë përmbyllur dhe punëtorët do të kthehen në vendet e tyre të punës.
“Të gjitha përgatitjet janë bërë dhe ka mbetur vetëm nënshkrimi i kontratës me operatorin e ri. Greva do të përfundojë zyrtarisht nesër në orën 11:00, dhe punëtorët do të rikthehen në vendet e tyre të punës pasnesër. Kushtet e tyre do të jenë më të mira, pasi vlera e kontratës është më e lartë. Po ashtu, kemi marrë zotimin nga drejtori i ShSKUK-së se kontrata do të rishikohet me kujdes, në bashkëpunim të ngushtë me sindikatën”, tha Azemi.
Edhe kryetari i Shoqatës Sindikale në QKUK, Hakif Sylejmani, e konfirmoi se nënshkrimi i kontratës me kompaninë fituese do të ndodhë nesër.
“Grevën për sot e kemi përfunduar. Marrëdhëniet me stafin dhe administratën e prokurimit kanë qenë shumë të mira. Nesër në orën 10:00 do të presim drejtorin e kompanisë për të nënshkruar kontratën, dhe menjëherë pas nënshkrimit, së bashku me drejtorin e QKUK-së do ta shpallim përfundimin e grevës. Jemi të bindur se kontrata do të nënshkruhet dhe puna do të rifillojë sa më parë”, deklaroi Sylejmani.