Greqia i lufton zjarret afër Athinës
Greqia luftoi me zjarret në natyrë të premten në disa fronte, nga periferia e Athinës te pjesa qendrore e vendit dhe në ishullin e Kretës, përderisa situata në Spanjë dhe Francë u lehtësua, pasi zjarret e mëdha u vunë nën kontroll.
Banorët e dy komuniteteve në perëndim të Athinës u këshilluan që të evakuoheshin si masë kujdesi, përderisa tymi doli nga kodrat me drurë të dendur përreth kryeqytetit grek.
Në Boeotia, në veriperëndim të Athinës, qindra banorë dhe vizitorë u evakuuan nga një komunitet i vogël bregdetar përmes barkave të rojës bregdetare e barkave të peshkimit, përderisa tymi i dendur e mbuloi zonën.
Më shumë se 70 zjarre shpërthyen në mbarë vendin të premten. Brigada e zjarrfikësve tha se është në nivelin më të lartë të vigjilencës, duke paralajmëruar se rreziku nga zjarret është posaçërisht i lartë në Gadishullin Attica, ku shtrihet edhe Athina.