Goditje për Netanyahun: Jep dorëheqje ministri i kabinetit të luftës, Benny Gantz
Ministri izraelit i kabinetit të luftës, Benny Gantz, ka dhënë dorëheqje nga qeveria emergjente. Kjo lëvizje është shenjë e thellimit të përçarjeve rreth planeve të kryeministrit Benjamin Netanyahu për statusin e Gazës pas luftës.
Duke folur në një konferencë për gazetarë të dielën në Tel Aviv, ku njoftoi për dorëheqjen e tij, Gantzi tha se vendimin e mori me pikëllim, raporton televizioni BBC.
“Fatkeqësisht, z. Netanyahu po na parandalon ne nga arritja e fitores së vërtetë, që është justifikimi për krizën e vazhdueshme e të dhimbshme” – tha ai.
I konsideruar nga disa si sfidues i mundshëm për të ardhur në pushtet, Gantzi i bëri thirrje Netanyahut që ta caktojë datën e zgjedhjeve.
Netanyahu iu kundërpërgjigj në rrjetin X: “Benny, kjo nuk është koha për t’u larguar nga fushata, kjo është koha për t’i bashkuar forcat.”
Udhëheqësi i opozitës, Yair Lapid, e mbështeti vendimin e Gantzit, duke e cilësuar si “të rëndësishëm dhe të duhur”.