Gjyqësori i Iranit mohon se ka plan për ekzekutimin e protestuesit Erfan Soltani - NACIONALE

Gjyqësori i Iranit mohon se ka plan për ekzekutimin e protestuesit Erfan Soltani

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Sistemi gjyqësor në Iran ka mohuar se e ka planifikuar ekzekutimin e një burri të arrestuar në lidhje me protestat që kanë shpërthyer ditëve të fundit në shtetin aziatik.

Organizata kurde për të drejtat e njeriut, “Hengaë”, me bazë në Norvegji, tha më herët këtë javë se familja e Erfan Soltanit, 26 vjeç, ishte njoftuar se ai ballafaqohej me ekzekutim të mërkurën, vetëm disa ditë pas arrestimit, raporton televizioni BBC.

Të mërkurën, kjo organizatë e citoi familjen të ketë thënë se ekzekutimi i të riut ishte “shtyrë”, por paralajmëroi se mbeteshin “shqetësime serioze dhe të vazhdueshme” për jetën e tij.

“Ky është lajm i mirë. Shpresoj se do të vazhdojë” – tha presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili e kishte paralajmëruar Iranin që të mos ekzekutonte protestues.

Sistemi gjyqësor në Iran tha se Soltani ballafaqohet me akuza për “bashkëpunim kundër sigurisë kombëtare” dhe për “aktivitete propagande kundër establishmentit” të vendit, të cilat nuk janë të dënueshme me vdekje, raportoi televizioni shtetëror iranian, IRIB.

Ata thanë se raportet nga mediat e huaja se Soltani ballafaqohet me ekzekutim janë “akt flagrant i frabrikimit të lajmit”.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, gjithashtu tha se “nuk ka plan” për të varur njerëz në litar.

Këto reagime erdhën pasi presidenti amerikan kërcënoi me “veprime shumë të forta”, nëse Irani do të kryente ekzekutime të njerëzve, në kohën e spekulimeve për sulme të mundshme ushtarake nga ShBA-ja.

Lajme të ngjashme