Gjykatat kosovare ‘vlojnë’ nga lëndët e pazgjidhura
Në gjykatat e Kosovës, mbi 236 mijë lëndë të ndryshme janë në pritje për t’u zgjidhur. Gjykata Themelore e Prishtinës prin me lëndët e pazgjidhura. Kjo po konsiderohet shkelje e të drejtave të njeriut, derisa nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) thonë se janë disa faktorë që kanë ndikuar në grumbullimin e lëndëve.
Sipas të dhënave të Këshillit Gjyqësor, në periudhën janar-qershor të këtij viti janë regjistruar 236 mijë e 329 lëndë të pazgjidhura nëpër gjykata.
KGjK në raportin gjashtëmujor thekson se Gjykata Supreme, Dhomat e Posaçme, Gjykatat e Apelit dhe ato themelore kanë pasur në punë mbi 295 mijë lëndë, i kanë trashëguar mbi 222 mijë dhe i kanë pranuar 73 mijë e 276 të tjera. Në periudhën janar-qershor, gjykatat nga lëndët e grumbulluara kanë arritur t’i zgjidhin 59 mijë e 261 lëndë, derisa në proces kanë mbetur mbi 236 mijë të tjera.
“Sistemi gjyqësor i Kosovës është ndërtuar për 20 vite por asnjëherë nuk ka pasur numër të mjaftueshëm të gjyqtarëve, bashkëpunëtorëve dhe zyrtarëve të tjerë”, thotë Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, raporton RTK.
“Përveç kësaj duhet pasur parasysh dhe efektin e pandemisë, thuajse në periudhë prej dy vitesh ka ndikuar në masë të madhe në grumbullimin e lëndëve, por pa përjashtuar edhe faktorë të tjerë”.
Zvarritja e lëndëve sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi po ndodhë për shkak të mos trajtimit të tyre brenda afateve ligjore.
“Në kuadër të qendrës për ndihmë juridike falas, që e kemi në kuadër të IKD-së, kemi hasur raste kur palët tona në pritje të një epilogu për raste e tyre, fatkeqësisht kanë vdekur dhe nuk kanë arritur të fitojnë zgjidhjen e rastit”, thotë Arrita Rezniqi nga IKD.
Me numrin më të madh të lëndëve të pazgjidhura prin Gjykata Themelore, me mbi 205 mijë lëndë, pasuar nga Gjykata e Apelit, ndërkaq më së paku lëndë të pazgjidhura ka Gjykata Supreme, 413 të tilla.