Gjykata ia hedh poshtë padinë Enes Gogajt ndaj “Express”-it, “Zërit” dhe gazetarit Duriqi
Gazeta Insajderi raporton se Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar në tërësi padinë për shpifje e fyerje të Enes Gogës, imam nga Peja, i cili e kishte paditur gazetarin Visar Duriqi dhe mediumet “Express” dhe “Zëri”.
Në vendimin që është marrë më 10 janar të vitit 2024, thuhet se “refuzohet në tërësi si e pabazuar kërkesëpadia e paditësit Enes Gogaj” ndaj gazetarit Duriqi në lidhje me shkrimin “Inteligjenca ndërkombëtare: Vehabistët e Pejës merreshin me haraç e drogë – kishin edhe kampe rekrutimi”.
Tutje, në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, siç e transmeton Insajderi, është hedhur poshtë edhe kërkesa e imamit Gogaj për dëmshpërblim prej 10 mijë eurove.
“Refuzohet kërkesëpadia e paditësit me të cilën ka kërkuar nga e paditura e dytë që për lajmet e publikuara me datë 30.09.2014 dhe me datë 07.10.2014, të detyrohet t’ia kompensoj dëmin jo material për dhimbjet e pësuara shpirtërore, në shumën e përgjithshme prej 10,000.00 € dhe atë për shkak të cenimit të autoritetit 4,000.00 €, për shkak të cenimit të nderit 2,000.00 € për shkak të përhapjes së shpifjes dhe fyerjes 4,000.00 € me lajmin e publikuar me datën 30.09.2014 dhe me datën 07.10.20114, me kamatë ligjore, nga data e paraqitjës së padisë deri në pagesën definitive”, thuhet në aktgjykim.