Gjoshi: Osmani dhe Kurti po e shkatërrojnë rendin kushtetues të Kosovës
Sekretari i PDK-së, Betim Gjoshi, ka akuzuar Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin për shkatërrim të rendit kushtetues të Kosovës.
Gjoshi, i cili më herët ka qenë anëtar i KQZ-së, ka kritikuar vendimin e sotëm të KQZ-së që ka vendosur 21 prilli si datë për votim për largimin e kryetarëve aktual në veri.
Në profilin e tij në “Facebook”, Gjoshi ka shkruar se këtë datë është dashur ta cakton presidentja Osmani e jo KQZ-ja.
“Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Lëvizja Vetëvendosje, tashmë po shkatërrojnë edhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Kushtetuta e Kosovës e ka thënë qartë: Pesidenti shpallë zgjedhje, KQZ organizon zgjedhje. Por, sot ndodhi anomalia më e madhe që rrënon përfundimisht hierarkinë institucionale: KQZ shpallë zgjedhje, KQZ organizon zgjedhje”, ka shkruar Gjoshi.
Ai ka treguar se anëtare e PDK-së në KQZ sot nuk e kanë përkrahur këtë vendim.
“Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, që e kanë çuar shtetin e Kosovës buzë greminës, tashmë edhe zyrtarisht po i rrezikojnë proceset zgjedhore. PDK, është opozitë e vërtetë që nuk i nënshtrohet diktatit të pushtetit për të shkatërruar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe dy anëtarët e PDK-së në KQZ mbajtën qëndrim dinjitoz, institucional dhe kushtetues”, ka shkruar Gjoshi.