Gjini pas thirrjes në Kuvend për pushkatimin e Haradinajt: Prokuroria të ndërhyjë urgjentisht
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini ka reaguar pas thirrjes së një personi në Kuvendin e Kosovës për pushkatimin e Ramush Haradinajt.
Gjini në një shkrim në rrjetin social Facebook ka thënë se këto thirrje në shtëpinë e ligjit nuk janë të rastësishme, por produkt i platformës mbi dhjetëvjeçare propaganduese.
Ai ka shtuar se Prokuroria duhet të nërhyjë urgjentisht në këtë rast.
Postimi i plotë:
Thirrjet vëllavrasëse në shtëpinë e ligjit nuk janë të rastësishme; ato janë produkti i saktë i një platforme mbi dhjetëvjeçare propaganduese.
Deklarata e sotme monstruoze kundër Ramush Haradinajt është thjesht manifestimi i asaj që u mboll, u ushqye dhe u ujit me vite të tëra si narrativë antikombëtare, para së cilës arkitektët e saj sot heshtën në sallë.
Ky instrumentalizim i rrezikshëm nuk përfaqëson mërgatën tonë patriotike, por rezultatin e një inxhinierie të mbrapshtë politike, ku prokuroria e shtetit duhet të ndërhyjë urgjentisht.
Ramush Haradinajn mund ta shihni vetëm nga larg, sepse atë e mbron historia, populli dhe ai vetveten, duke qenë më i zoti se cilido prej jush. Njerëzit e këtillë dhe nxitësit e tyre do të përfundojnë shumë shpejt në plehun e harresës.