Gjini: Nuk kërkojmë ministri, por projekte konkrete në këmbim të votave të Aleancës
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka deklaruar se partia e tij nuk kërkon poste ministrore apo pozita të tjera në pushtet në këmbim të votave të saj, por realizimin e disa kërkesave që, sipas tij, janë në interes të qytetarëve të Kosovës.
Në një intervistë në emisionin “Debat Plus”, Gjini tha se ndër kërkesat e Aleancës janë ngritja e pragut të TVSH-së, heqja e taksave për bujqit që e punojnë tokën, përfundimi i projekteve infrastrukturore dhe realizimi i projekteve energjetike.
“Ne kërkojmë me u ngrit pragu i TVSH-së, me u heq taksa për bujq që e punojnë tokën, me u kry projektet infrastrukturore që kanë mbetë dhe, mbi të gjitha, me u kry projektet energjetike që mos me ble më rrymë në Serbi”, deklaroi Gjini.
Ai shtoi se Aleanca nuk ka kërkuar pjesë në “tortën e pushtetit”.
“Ne i kemi thënë që nuk po dojmë as poste ministrore, as ambasadorë, as zëvendësministra… Kurrgjë nuk po dojmë”, tha ai.
Sipas Gjinit, nëse votat e Aleancës janë të nevojshme për krijimin e shumicës, atëherë partia do të kërkojë kompromis programor.
“Nëse duhet me marrë pjesë në votim, atëherë i kemi disa kushte të cilat shkojnë ekskluzivisht në interes të qytetarit të Kosovës”, deklaroi ai.
Gjini kritikoi kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ai ka refuzuar një marrëveshje të tillë.
“Një parti nuk po t’i do fare ato ministri dhe po të thotë: ‘Kryj qeto punë’ dhe i ke votat e mia. Ka refuzu me bë një gjë të tillë!”, tha Gjini.