Gjini: Kosova po shet qymyrin dhe po blen energjinë 100 herë më shtrenjtë - NACIONALE

Gjini: Kosova po shet qymyrin dhe po blen energjinë 100 herë më shtrenjtë

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kritikuar ashpër qeverisjen për politikat energjetike, duke e akuzuar atë për dështim në zhvillimin e kapaciteteve vendore për prodhimin e energjisë.

Gjini kujtoi se Aleanca kishte reaguar fuqishëm si për anulimin e projektit energjetik “Kosova C”, ashtu edhe për prishjen e marrëveshjes me “ContourGlobal”, ndërsa sipas tij, partitë e tjera kishin heshtur.

Ai kritikoi situatën aktuale, ku Kosova, sipas tij, shet qymyrin dhe më pas detyrohet të blejë energji shumë më shtrenjtë. Gjini e krahasoi këtë qasje me praktikat e vendeve të prapambetura, duke theksuar se problemi, sipas tij, nuk qëndron te qytetarët, por te qeverisja e dëmshme dhe e korruptuar.

“Ky është karakteri i qeverisjes që 6 vite”, shkroi Gjini, duke paralajmëruar se, sipas tij, situata energjetike mund të përkeqësohet edhe më tej.

E plotë

A duam t'i ngjasojmë Evropës apo vendeve të botës së tretë?!

Kur është anuluar projekti energjetik "Kosova C", vetëm Aleanca ka reaguar shumë fuqishëm. Të tjerët e kanë mbyllur gojën, kush e di se pse?!

Kur u prish projekti energjetik me "ContourGlobal", përsëri reagoi vetëm Aleanca.

Kjo qeveri ka gjetur arsyetime nga më bizaret për të mos prodhuar energji në Kosovë. Tani shesim qymyr e blejmë energji, madje 100 fish më shtrenjtë.

Kështu u ndodh vendeve më të prapambetura në botë, atyre që quhen vendet e botës së tretë.

Dhe pa asnjë dyshim, kjo nuk ndodh ngaqë njerëzit atje janë të këqij, por sepse qeveritë e tyre janë të dëmshme dhe të korruptuara.

Po duket se ende asgjë nuk kemi parë.

Ky është karakteri i qeverisjes që 6 vite.

Dhe as nuk iu vjen turp!

Lajme të ngjashme