Gjermania thotë se prapa sulmit me dronë në aeroportin e Laipcigut qëndron Rusia
Gjermania ka thënë se Rusia ishte përgjegjëse për sulmin me dronë në aeroportin e Laipcigut muajin e kaluar.
Një dron që po bartte një mjet shpërthyes u zbulua në aeroportin Laipcig/Halle në pjesën lindore të Gjermanisë, afër aeroplanëve ukrainas të mallrave, më 4 gusht, raporton televizioni BBC.
Droni dështoi që të shpërthente, sepse detonuesi mësa duket ishte me probleme dhe hetuesit dyshojnë se një dron tjetër u përplas me një aeroplan mallrash afër asaj zone. Raportohet se një dron tjetër u gjet afër aeroportit dhjetë ditë më vonë.
Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt, tha se sulmi në aeroportin e Laipcigut e ndoqi “modelin e mirëvendosur të operacioneve hibride ruse në Evropë” dhe supozimi është që Gjermania do të vihet në shënjestër përsëri.
Ekspertët e sigurisë kishin llogaritur se Rusia mund të ketë qenë përgjegjëse. Megjithatë, Moska gjithnjë i ka mohuar pretendimet për përfshirjen e saj.
Aeroporti Laipcig/Halle në Gjermani përdoret nga ushtria gjermane dhe aleatët e NATO-s për transportimin e mallrave ushtarake dhe gjithashtu shërben si bazë e kompanisë “Antonov Airlines” të Ukrainës, e cila e transporton shumicën e mallrave të këtij vendi përmes ajrit.