Gjermania, Franca dhe Spanja pajtohen për fazën e re të zhvillimit të aeroplanëve luftarakë
Gjermania, Franca dhe Spanja kanë arritur marrëveshje për fillimin e fazës së re të zhvillimit të një aeroplani të ri ushtarak të quajtur FCAS, projekti më i madh i Evropës në fushën e mbrojtjes, që pritet të kushtojë më shumë se 100 miliardë euro, i thanë të premten agjencisë “Reuters” dy burime.
Këto tri shtete dhe industritë e tyre përkatëse kanë nënshkruar një marrëveshje, tha një burim i sigurisë, i cili foli në kushte anonimiteti dhe nuk dha hollësi.
Një burim qeveritar francez gjithashtu vërtetoi se kompanitë kanë gjetur një marrëveshje për të lëvizur drejt fazës së re të projektit për aeroplanët luftarakë.
Sipas informatave të mëhershme, faza e ardhshme e zhvillimit të Sistemit Ajror Luftarak të së Ardhmes (FCAS) pritet të kushtojë rreth 3,5 miliardë euro, të cilat do të paguhen në mënyrë të pabarabartë nga tri shtetet pjesëmarrëse.
Kompanitë “Dassault”, “Airbus” dhe “Indra” – këto dy të fundit i përfaqësojnë Gjermaninë dhe Spanjën – janë të përfshira në skemën për fillimin e zëvendësimit të aeroplanëve luftarakë francezë, “Rafale” dhe aeroplanët gjermanë e spanjollë, “Eurofighter”, nga viti 2040.