Gjermania do t’i dhurojë Ukrainës gjashtë helikopterë multifunksionalë “Sea King”
Gjermania do të dërgojë gjashtë helikopterë të tipit “Sea King” në Ukrainë. Ata do të merren nga inventari ushtarak i Gjermanisë dhe do të dërgohen në çerekun e dytë të vitit, tha të martën ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.
Helikopterët “Sea King” pritet ta ndihmojnë Ukrainën për shumë operacione, nga vëzhgimi i Detit të Zi deri te transportimi i ushtarëve, shtoi ministri Pistorius, raporton agjencia “Reuters”.
Ai foli në një takim të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, ku mbi 50 shtete e organizata bëjnë plane për kapacitetet e vijës së frontit në Ukrainë.
Gjermania dhe Franca e kanë udhëhequr koalicionin për mbrojtje ajrore së bashku nga nëntori i vitit të kaluar.
“Për mbrojtjen e popullit dhe infrastrukturës ukrainase, mbrojtja ajrore vazhdon që të jetë prioriteti numër një. Ne gjithashtu kemi nevojë për më shumë shpejtësi në prodhimin e armëve”- shtoi ministri gjerman.