Gjenden dy trupa në veturën e fundosur pas rrëzimit të urës në ShBA
Trupat e dy personave janë nxjerrë nga një veturë që ishte fundosur në ujë pas rrëzimit të urës në Baltimore, e cila ishte goditur nga një anije e madhe mallrash.
Tetë punëtorë ndërtimtarie ndodheshin në urë në momentin e aksidentit dhe goditja e anijes dhe rrëzimi i urës i kishin hedhur ata në ujë.
Dy prej punëtorëve u shpëtuan ditën e aksidentit, por kërkimi po vazhdon edhe për katër të tjerë, të cilët supozohet se kanë vdekur, raporton televizioni BBC.
Ekipet e shpëtimit po punojnë për ta adresuar çështjen e materialeve të rrezikshme, ndërsa hetuesit e aksidenteve janë në vendin e ngjarjes.
Katër prej gjashtë viktimave të rrëzimit të urës janë identifikuar deri më tani.
Megjithatë, policia tha se zhytësit nuk mund të kërkojnë më në ujë në mënyrë të sigurt për shkak të betonit dhe mbetjeve të tjera që janë gjetur në lumë. Ata tani po përdorin skanerë me hidrolokatorë dhe besojnë se automjetet e tjera që mund të kenë trupa brenda janë “mbështjellë në superstrukturë dhe beton” që kanë rënë nga ura, tha një zyrtar.
Ministria e Jashtme e Meksikës tha më herët se dy shtetas të saj supozohen të vdekur, ndërsa një tjetër tashmë është shpëtuar.