Gjashtë të vrarë nga sulmi izraelit në një qendër mjekësore në Bejrut - NACIONALE

Gjashtë të vrarë nga sulmi izraelit në një qendër mjekësore në Bejrut

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sulmet ajrore ndaj një qendre mjekësore në Bejrut të Libanit kanë lënë të vrarë të paktën gjashtë persona, pasi ushtria izraelite e pësoi ditën më vdekjeprurëse në frontin libanez gjatë një viti luftimesh me Hezbollahun e përkrahur nga Irani.

Banorët e Bejrutit dëgjuan një raketë duke fluturuar mbi qytet para se ta dëgjonin zhurmën e shpërthimit. Në video të ndryshme shfaqej dyshemeja e një ndërtese banesazh duke u djegur. Banorët që jetojnë në zonat e afërta filluan të iknin, duke u larguar shpejt me motoçikleta e vetura, raporton gazeta "The Guardian".

Sulmi izraelit goditi një qendër mjekësore që i përkiste Organizatës Shëndetësore Islame, e lidhur me Hezbollahun, në orët e hershme të së enjtes. Ky sulm ishte i dyti në pjesën qendrore të Bejrutit këtë javë, pasi shumica e sulmeve më parë ishin të përqendruara në jug të qytetit.

Ushtria izraelite tha se po e vinte në shënjestër Bejrutin dhe lëshoi paralajmërime për evakuim për zona të ndryshme gjatë natës. Tri raketa e goditën edhe periferinë jugore, Dahiyeh, ku javën e kaluar u vra kreu i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, dhe shpërthime të fuqishme u dëgjuan atje, thanë zyrtarët libanezë të sigurisë.

Zyrtarët shëndetësorë libanezë thanë se të paktën gjashtë njerëz u vranë dhe shtatë të tjerë u plagosën, duke shtuar se 46 persona të tjerë ishin vrarë nga sulmet izraelite në 24 orët e kaluara.

Një ditë pasi Irani hodhi mbi 180 raketa drejt Izraelit, rajoni më i gjerë po e pret kundërpërgjigjen e Izraelit. Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se nuk mbështet një sulm izraelit ndaj qendrave bërthamore të Iranit.

Lajme të ngjashme