Gërvalla: Osmani ka të drejtë të mos pajtohet 100 për qind me gjithçka që bëjmë ne
Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporë, ka folur për raportet e saj me presidente Vjosa Osmani.
Ajo ka vlerësuar se raportet janë të mira, duke theksuar me satirë se i vjen keq t’i zhgënjejë të gjithë ata që janë gëzuar shumë e kanë shpresuar të përçajnë institucionet.
“Më vjen keq të zhgënjej të gjithë ata që janë gëzuar shumë sepse kanë shpresuar se më në fund kanë arritur të fusin njëfarë përçarje mes institucioneve. Më duhet t’i zhgënjej sepse ne për shkak se nuk jemi lidhur për çështje private, por për shkak se secili nga përfaqësuesit e institucioneve sot në radhë të parë ka parasysh interesin e shtetit. Çështjet e tilla nuk janë të rëndësishme” – është shprehur ajo në emisionin “Këndi i Debatit” në TËVË 1.
“Presidentja ka të drejtë të mos pajtohet 100 për qind me gjithçka që bëjmë ne. Është e drejta e saj. Presidentja ka shumë të drejtë të mos pajtohet me letrën që kam dërguar unë e as me propozime të tjera, prandaj në një shtet ne i kryejmë punët tona bazuar në kompetencat që kemi. Asnjë lloj krisje. Krisjet supozohen në momentin që ne jemi mirë dhe në momentin që paska një kritikë të presidentes Osmani që kam dërguar unë për të përshpejtuar një proces të anëtarësimit në KiE” – ka shtuar ajo.