Gërvalla niset për Luksemburg, kryediplomatëve të BE-së ju flet për “reformat e thella në sundim të ligjit”
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka udhëtuar për Luksemburg ku do të merr pjesë edhe në një “shkëmbim informal” me ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian, të cilët, mes tjerash, e kanë në agjendë edhe Ballkanin Perëndimor.
MPJD-ja njofton se Gërvalla shkon atje t’ju paraqesë “qëndrimet e Republikës së Kosovës rreth procesit të integrimeve evropiane, sigurisë në Evropë dhe në rajon, reformat e thella të ndërmarra për sundim të ligjit, ngritjen e nivelit të demokracisë dhe zhvillimin ekonomik, si dhe nevojës së ndërmarrjes së veprimeve konkrete për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.
“Me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është nisur për Luksemburg, për të marrë pjesë në takimin e rregullt të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, ku do të diskutohet për sfidat e përbashkëta të politikës së jashtme dhe sigurisë gjatë viteve të ardhshme”, ka njoftuar MPJD.