Gërvalla e njofton Kryetaren e Komisionit për Mbrojtje të Gjermanisë me veprimet destabilizuese të Serbisë
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka takuar Kryetaren e Komisionit për Mbrojtje të Gjermanisë, Marie-Agnes Strack-Zimmermann, të cilin e ka informuar për veprimet e Serbisë në raport me Republikën e Kosovës.
Në njoftimin e MPJD-së është thënë se Gërvalla e ka njoftuar deputeten gjermane se veprimet e Serbisë ndaj Kosovës janë kërcenim pa stabilitetin në rajon.
“Situata e sigurisë në Kosovë dhe kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë kundër paqes dhe sigurisë në rajon ishin temat kyçe të takimit që Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla, pati me Kryetaren e Komisionit për Mbrojtje të Gjermanisë, Marie-Agnes Strack-Zimmermann dhe anëtarë të këtij komisioni”, është thënë në njoftimin e MPJD-së.
Gjithashtu në këtë takim është diskutuar për avancimin e raporteve në mes të dy vendeve.
“Gjatë kësaj bisede të zhvilluar në Bundestagun gjerman me kryetaren dhe anëtarët e Komisionit për Mbrojtje u diskutua edhe për bashkëpunimin ndërshtetëror në fushën e sigurisë, nevojën e ndërmarrjes së sanksioneve ndaj Serbisë për veprimet destabilizuese të saj në Ballkanin Perëndimor, në njërën anë dhe në anën tjetër vazhdimin e mbështetjes së Kosovës në ngritjen profesionale, logjistike dhe anëtarësim në NATO”, është thënë në njoftimin e ministrisë.