Gërvalla del me një videomesazh: Byroja do të jetësohet, s’ka rrugë tjetër
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se ka përfunduar afati i konsultimit publik për Projektligjin për Byronë.
Në një videomesazh, ajo ka thënë se “Byroja do të jetësohet pasi nuk ka rrugë tjetër”.
“Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do të jetësohet, sepse nuk ka rrugë tjetër për një shtet që synon drejtësi, barazi para ligjit dhe integritet institucional.
Sot përfundon afati i konsultimit publik për Projektligjin për Byronë. Falënderojmë të gjithë qytetarët, ekspertët, organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet e drejtësisë që kanë kontribuar me komente, sugjerime dhe vërejtje gjatë këtij procesi. As edhe një koment i vetëm i pranuar nuk do të mbetet pa u trajtuar dhe pa marrë përgjigje. Çdo kontribut do të shqyrtohet me seriozitet dhe përgjegjësi, me qëllim që të kemi një ligj sa më të plotë, funksional dhe të qëndrueshëm”, ka thënë ajo.