Gazi lotsjellës në Kuvend: Apeli e kthen në rigjykim rastin ndaj Glauk Konjufcës - NACIONALE

Gazi lotsjellës në Kuvend: Apeli e kthen në rigjykim rastin ndaj Glauk Konjufcës

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Gjykata e Apelit ka anuluar vendimin lirues të Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj ish-kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, i akuzuar për hedhje të gazit lotsjellës gjatë një mbledhjeje në gusht 2016, dhe ka urdhëruar rigjykimin e çështjes.

Themelorja e kishte liruar Konjufcën më 26 shkurt 2024, duke argumentuar se nuk ishte provuar vepra "Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm" dhe duke refuzuar akuzën për "Pengimin e personit zyrtar" për shkak të parashkrimit. Prokuroria kishte ankuar vendimin, duke kërkuar shpalljen fajtor të të akuzuarit.

Apeli, në vendimin e 27 shkurtit 2025, vlerësoi se aktgjykimi përmbante shkelje esenciale të procedurës penale dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike. Kolegji penal theksoi se gjykata e shkallës së parë nuk kishte vlerësuar drejt provat, duke përfshirë deklaratën e vetë Konjufcës në Prokurori ku kishte pranuar përdorimin e gazit, si dhe procesverbalin e mbledhjes që e konfirmonte incidentin.

Sipas Apelit, mungesa e arsyetimit të plotë për besimin ndaj provave dhe vlerësimi i tyre në mënyrë të lidhur detyrimisht kushtëzon anulimin e vendimit. Themelorja tani duhet të rigjykojë çështjen, duke administruar dhe vlerësuar provat në mënyrë meritore. Pjesa e vendimit për parashkrimin e akuzës për pengim mbetet e pandryshuar, pasi prokuroria nuk e kishte ankimuar atë.

Lajme të ngjashme