Gazetari serb i lutet Kurtit që ta kthejë në Kosovë: Serbia është strehimore e zorit
Radomir Dimiq, gazetar serb, i ka shtruar një kërkesë specifike kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti.
Siç raporton RTK-ja, Dimiq i ka kërkuar Kurtin që t’i sigurojë kushte serbëve që të kthehen në Kosovë.
“I nderuar kryetari i Qeverisë së Republikës së Kosovës, në harmoni me thirrjen tuaj publike për kthimin e serbëve të Kosovës, ju drejtohem personalisht që të më mundësoni dhe të më siguroni kushte ekzistenciale në vendlindjen time, pas 20 e më shumë viteve ekzil në Serbi e cila në saje të rrethanave të krijuara më është bërë strehimore e zorit”, ka nisur ai thirrjen e tij.
Tutje, ai ka theksuar se nuk dëshiron të jetojë në një “regjim diktatorial”.
“Unë nuk dua të jetoj në një regjim diktatorial, i cili bazohet në industrinë e sistemit popullist të një diktatori me 12 vjet pushtet e diktaturë. Unë si kosovar jam i përkushtuar me gjithë qenien për një Kosovë Demokratike Evropiane. Dua të bëjë gjithçka për ndërtimin e mirëbesimit të serbëve të Kosovës” - vazhdon letra e Dimiqit.