Gashi: LDK-në nuk e frikëson asgjë, as presioni nga jashë e as sfidat nga brenda
Deputeti i zgjedhur nga LDK-ja, Arben Gashi, ka folur pas përfundimit të Kuvendit, ku Lumir Abdixhiku mbijetoi si kryetar me 18 vota diferencë.
Gashi tha se LDK-në nuk e frikëson asgjë, as presioni nga jashtë e as sfidat nga brenda.
Ai shtoi se demokracia është themeli i LDK-së.
Gashi tutje tha se nuk është në LDK për interesa të përkohshëm, por për ta ndërtuar LDK-në më të fortë.
“LDK-në nuk e ndal askush. Nuk e frikëson as presioni nga jashtë, as sfidat nga brenda. Sepse forca e saj nuk buron nga pushteti, por nga vlerat mbi të cilat është ndërtuar. Demokracia është themeli i saj. Liria është shpirti i saj. Veprimi politik është misioni i saj. Ndërsa qëndrimi i palëkundur për të vërtetën është vetë arsyeja e ekzistencës së saj. Për këtë LDK angazhohem. Në këtë LDK besoj. Për këtë LDK qëndroj. Jam në politikë jo për të mbrojtur interesa të përkohshëm, por për të ndërtuar një LDK më të fortë, më demokratike dhe më besnike ndaj idealit të saj. Sepse vetëm një LDK e tillë mund t’i prijë Kosovës drejt së ardhmes që e meriton. Për LDK-në. Për Kosovën. Gjithmonë”, ka shkruar Gashi.