Gashi i LDK-së e ofendon ministrin Murati: Ke paaftësi në të menduar, kjo është e dukshme
Ministri i Financave, Hekuran Murarti, i është kundërpërgjigjur deklaratave të Arben Gashit nga LDK-ja, i cili tha se Qeveria shumë shpejt do të përcaktojë sasinë e lejuar të konsumit.
Ministri i tha Gashit që ai të koordinohet me shefin e tij.
“Desha t’i referohem një deklarate që bëri parafolësi i cili ndër të tjera duke u munduar ta paraqesë qeverisjen si diçka të keqe tha se “nuk do të jetë larg kur kjo qeveri do të fillojë me e kufizu sasinë e produkteve që qytetarët blejnë”, dhe më duhet vetëm t’i referohem një propozimi të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut i cili me datën 7 mars ndër propozimet tjera po ashtu thotë: “të vendoset racioni i sasisë së naftës që një individ mund të blejë”. Kam lutje që të koordinoheni me deklaratat e juaja në mënyrë që të mos dilni me kundërthënie”, tha Murati.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Arben Gashit pas këtyre deklaratave, i cili tha se është i dukshëm fakti se ka paaftësi në të menduar.
“Që ka paaftësi në të menduar kjo është e dukshme, mbërrin deri në atë pikë sa dëshiron me uniformu edhe të drejtën e mendimit të njerëzve në LDK”, tha Gashi.