Frikë për mbi 40 peshkatarë nigerianë të vdekur pas sulmeve të Çadit ndaj Boko Haramit
Ekziston frika se dhjetëra peshkatarë nigerianë kanë vdekur, pasi ushtria e Çadit nisi sulme ajrore ndaj militantëve të grupit Boko Haram në rajonin e Liqenit Çad, i tha BBC-së një udhëheqës lokal i peshkatarëve.
Abubakar Gamandi Usman, drejtor i Shoqatës së Peshkatarëve të Nigerisë në Basenin e Liqenit Çad, tha se disa prej anëtarëve të shoqatës ishin zhdukur dhe vlerësoi se mbi 40 kishin vdekur, raporton televizioni britanik.
Ende nuk është gjetur asnjë trup, por Usmani beson se disa peshkatarë janë goditur nga sulmet, ndërsa disa të tjerë janë fundosur, pasi ishin munduar të iknin përmes barkave të mbingarkuara.
Autoritetet në Çad dhe Nigeri nuk kanë komentuar, por Presidenca e Çadit tha të dielën se kishte kryer “sulme ajrore intensive” si hakmarrje ndaj bastioneve të Boko Haramit.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetin “Facebook”, presidenca e Nigerisë tha se u ishte kundërpërgjigjur “sulmeve të pajustifikueshme” nga Boko Harami, të cilat ndodhën të hënën dhe të mërkurën e kaluar dhe në shënjestër patën baza ushtarake të Çadit afër liqenit me të njëjtin emër. Thuhet se të paktën 24 ushtarë e dy gjeneralë u vranë gjatë atyre sulmeve.