Fluks i madh i bashkadhetarëve ia kanë mësyrë Kosovës
Fluturimet drejt Prishtinës janë shtuar dukshëm. Këtë e kanë pohuar edhe nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari”.
Zyra e informimit të Aeroportit ka deklaruar për Indeksonline se në vetëm dy javët e para të korrikut (1-14 korrik) janë realizuar 1091 fluturime teksa kanë bartur me vete 142 mijë e 125 pasagjerë.
Numri i fluturimeve dhe udhëtarëve në 6-mujorin e parë të këtij viti dallon dukshëm me vitin paraprak, gjithashtu.
Nga janari e deri në qershor, sivjet janë realizuar 9828 fluturime, përmes të cilave kanë udhëtuar 1 milionë e 326 mijë e 132 udhëtarë.
Ndërkaq, një vit më parë, më 2021, në periudhën janar-qershor ka pasur 6048 fluturime, dhe kanë udhëtuar 721 mijë e 245 udhëtarë.
Nga Zyra e informimit thonë për Indeksonline se rritja e sivjetme është 25 për qind më e madhe se ajo e vitit 2019, para se të fillonte pandemia.
“Jemi njëri ndër aeroportet me rimëkëmbjen më të shpejtë pas pandemisë dhe kjo është kryesisht si rezultat i Diasporës sonë”, deklaron Aeroporti.
Ndërkohë, fluks ka pasur edhe në kufijtë tokësorë.
Nga Policia thonë se në 6-mujorin e parë të këtij viti, në Republikën e Kosovës kanë hyrë 4.165.296 persona.
Vitin e kaluar, në të njëjtin interval kohor, në Kosovë kishin hyrë 3.909.642 persona.
“Më së shumti persona kanë hyrë nga Republika e Shqipërisë, 1.740.492”, thuhet në përgjigjen e policisë për Indeksonline.
Aktualisht, nëpër pika kufitare të ndryshme, pritjet zgjasin ndryshe.
Pritjet më të gjata po bëhen në pikën kufitare Dheu i Bardhë, 30 deri në 35 minuta, ku kolonat janë të gjata 50 deri në 60 metra. Ndërkaq pritje më të vogla ka në Merdarë e në Muçibabë – deri në 10 minuta.