Flet babai i Marigona Osmanit pasi Apeli e ktheu në rigjykim rastin: Po lindin dyshime që avokatët e tyre janë sekserë
Muhabi Osmani, babai i Marigona Osmanit e cila u vra nga Dardan Krivaqa, ka reaguar pasi Gjykata e Apelit e ktheu në rigjykim rastin e tij dhe të Arbër Sejdiut.
Osmani në “RTK” e ka cilësuar këtë si një vendim skandaloz, duke e theksuar që vrasja e së bijës ka qenë një prej vrasjeve më mizore të pas luftës në Kosovë.
“Janë duke na shtyrë në një situatë që na ta marrim vetë ligjin në dorë gjë që nuk e kemi preferuar.” – ka thënë ai.
Tutje, ai ka theksuar se “me këtë vendim po lindin dyshimet që avokatët e të akuzuarve janë sekserë të njohur”.
“Unë kam dyshime të mëdha, sepse Gjykata ka prova të mjaftueshme për të dy të akuzuarit të cilët janë të involvuar direkt në vrasjen e vajzës sime. Unë mendoj se ka implikacione të mëdha në Gjykatën Apelit, sepse janë dy familje të forta të cilët kanë njerëz ne polici edhe në drejtësi.” – ka thënë ai tutje.
Vlen të theksohet se fillimisht, Krivaqa ishte dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Sejdiu, më 15 vjet heqje lirie.