Fitorja e Trumpit, ish-gjyqtari amerikan: Zhbërja e Gjykatës Speciale është vështirë e realizueshme
Ish-gjyqtari amerikan i EULEX-it, Dean Pineles, ka komentuar mundësinë që me ardhjen e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë të nis zhbërja e Gjykatës Speciale.
Në një intervistë për Tëvë 1, Pineles ka pyetur se si do të zhbëhej Gjykata Speciale, ku po vazhdojnë të gjykohen ish-krerët e UÇK-së.
Sipas tij, BE-ja nuk do ta toleronte një ndërhyrje të tillë të ShBA-së në drejtësi.
“Nëse administrata e re e Trump është e interesuar ta zhbëj Gjykatën Speciale, atëherë pyetja ime është si do ta bëjnë këtë? Gjykata Speciale është krijuar me ligje të Kosovës dhe me një amendament të Kushtetutës së Kosovës. Pra, çdo zhbërje e gjykatës do të nënkuptonte anulimin e këtyre ligjeve. Kjo do të nënkuptonte një kosto të madhe politike, financiare dhe juridike. Gjykata tani është në funksion të plotë. BE-ja ka shpenzuar shuma të mëdha parash, bëhet fjalë për qindra miliona euro për mirëmbajtjen e gjykatës. Pra, kanë kaluar katër vjet e gjysmë dhe zhbërja e gjykatës tani është vështirë e realizueshme. BE-ja nuk do ta toleronte një ndërhyje të tillë në drejtësi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës” – tha Pineles.