Fitorja e parë për rebelët Houthi: Anija e goditur muajin e kaluar fundoset në Detin e Kuq - NACIONALE

Fitorja e parë për rebelët Houthi: Anija e goditur muajin e kaluar fundoset në Detin e Kuq

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një anije që ishte sulmuar nga rebelët Houthi të Jemenit është fundosur në Detin e Kuq pas disa ditëve të depërtimit të ujit në të, thanë zyrtarët të shtunën. Kjo është anija e parë që shkatërrohet plotësisht nga fushata e tyre për shkak të luftës së Izraelit kundër Hamasit në Gaza.

Anija “Rubymar” ishte duke lëvizur drejt veriut, pasi ishte sulmuar më 18 shkurt në Ngushticën Bab el-Mandeb, rrugë jetike ujore që e lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit, raporton agjencia “Associated Press”.

Qeveria jemenase e njohur nga komuniteti ndërkombëtar, si dhe një zyrtar rajonal ushtarak, konfirmuan se anija është fundosur. Zyrtari foli në kushte anonimiteti, pasi informata nuk ishte miratuar për publikim.

Menaxheri me bazë në Bejrut i anijes “Rubymar” nuk mund të arrihej menjëherë për koment.

Qeveria jemenase në ekzil, e cila është përkrahur nga një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite nga viti 2015, tha se anija u fundos të premten vonë, pasi në Detin e Kuq ndodhi një stuhi e motit.

Anija ishte braktisur për 12 ditë pas sulmit, edhe pse kishin qarkulluar plane për përpjekje që ajo të tërhiqej e të dërgohej në një port të sigurt.

Rebelët Houthi, të përkrahur nga Irani, që kishin pretenduar se anija ishte fundosur pothuajse menjëherë pas sulmit, nuk e pranuan menjëherë fundosjen e saj.

Lajme të ngjashme