Finlanda i bashkohet nismës së Francës për mbrojtje bërthamore - NACIONALE

Finlanda i bashkohet nismës së Francës për mbrojtje bërthamore

6 orë më parë

nga NACIONALE

Finlanda është bërë pjesë e nismës së Francës për zgjerimin e bashkëpunimit për mbrojtje bërthamore me vendet partnere evropiane, thanë të hënën krerët e të dyja vendeve.

“Nisma ka të bëjë në rend të parë me fuqizimin e sigurisë evropiane. Ajo e përforcon përgjegjësinë e Evropës për mbrojtjen e vet dhe ndihmon në parandalimin e përshkallëzimit” – shkroi në rrjetin X presidenti finlandez, Alexander Stubb, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Natyra e saktë e bashkëpunimit do të bëhet më e qartë në faza të mëvonshme të procesit” – tha ai më vonë para gazetarëve në një konferencë për shtyp në Helsinki, duke shtuar se secili vend pjesëmarrës do të përcaktohet se si dëshiron të marrë pjesë.

Sipas tij, nisma është diskutuar gjerësisht me Shtetet e Bashkuara dhe me NATO-n.

Në bazë të formatit të kësaj nisme, vetëm presidenti francez e ka autoritetin për të vendosur se kur përdoren armët bërthamore, ndryshe nga NATO-ja, e cila e ka atë që quhet Grupi Planifikues Bërthamor.

Megjithatë, me këtë nismë parashikohen ushtrime të përbashkëta, dislokimi i mundshëm afatshkurtër i aseteve me kapacitete bërthamore në territorin e aleatëve si dhe konsultimet më të thella.

Presidenti finlandez tha se ky program nuk e zëvendëson mbrojtjen bërthamore të NATO-s dhe se Finlanda nuk synon që ta lejojë vendosjen e armëve bërthamore në territorin e saj në kohë paqeje.

Lajme të ngjashme