Financimet ruse, Rama: Drejtësia e trajtoi si çështje, por s’i dha përgjigje
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka komentuar publikimin e dokumentit nga inteligjenca amerikan, i cili tregon për financimin e PD-së me para ruse.
Gjatë konferencës për medie, Rama ka thënë se kur Partia Socialiste e ka trajtuar këtë çështje është përqeshur.
“PS, financime ruse? Nga, apo përsëri është një rast për të ndryshuar drejtimin e temës? Dua t’ju kujtoj të gjithëve ju që po e trajtoni me të drejtë këtë temë sepse ka riardhur në qendër të vëmendjes pas një publikimi të bërë nga SHBA se kjo nuk është një temë e re. Nuk është një çështje aspak e panjohur për ne. Kjo është një temë që kur ne e kemi trajtuar shumë prej jush përfshirë edhe ata që sot hidhen përpjetë sepse e konsiderojnë mbase një tjetër gur për luftën e tyre të brendshme na kanë përqeshur. Askush prej një mase të madhe qoftë të medias, qoftë pastaj dhe të politikës përveç PS nuk ka marrë përsipër të thellohet në këtë drejtim”, ka thënë Rama.
Ai ka thënë se drejtësia e ka trajtuar këtë çështje, por nuk ka gjetur përgjigje.
“Këtë pyetje nuk keni pse ma drejtoni mua në kuptimin që kjo është një pyetje që duhet t’ia drejtoni prokurorisë, drejtësisë. Sepse në fund të fundit politika ka bërë zgjedhjet e veta, dhe mediat kanë bërë zgjedhjet e tyre të cilat rëndomë nuk janë interesi i publikut, por drejtësia e ka trajtuar këtë çështje dhe nuk ka dhënë përgjigje. Është për të ardhur keq kur sot shoh shumë që sot janë të skandalizuar, të tronditur, të shokuar”, ka thënë Rama.