Fadil Maloku për çnjohjen nga Togo: E turpshme dhe e dhimbshme për diplomacinë
Profesori i Sociologjisë Fadil Maloku ka reaguar pas raportimeve që Togo ka çnjohur Kosovën, sipas tij kjo është e turpshme dhe e dhimbshme për diplomacinë.
Maloku ka thënë se kjo është një sinjal serioz që shërben për të dëshmuar amatorizmin dhe infantilitetin e diplomacisë kosovare.
“E turpshme dhe e dhimbshme për diplomacinë (amatoreske) kosovare! (Ose; Edhe çnjohjet janë shndërruar në arsenal presioni për ta themeluar Zajednicen)
1.Kjo çnjohje e TOGOS në fakt përveç që është një sinjal serioz që shërben për të dëshmuar amatorizmin dhe infantilitetin e diplomacisë kosovare, është edhe një dëshmi serioze, po edhe një "certifikatë" (publike)e paaftësisë sonë institucionale për ta "mirëmbajtur" sferën e diplomacisë! Diplomaci, e cila jo që ka berë dëme me konformizmin dhe mosangazhimin e saj profesional për të sjellur njohje të reja nga vendet që ende nuk na kanë njohur, por, edhe na ka frustruar të gjithëve me indiferencën e vetë për ruajtjen e njohjeve të njëjta, që Serbia i ka paralajmëruar se janë mbi 20 sosh!?” – ka shkruar Maloku.
Ai tutje ka thënë se Serbia është duke punuar në aq shumë sfera për ta kontestuar, shantazhuar, por edhe për ta rrudhur e dobësuar rrugëtimin e shtetndërtimit dhe integrimit të Kosovës.
“2. Serbia, është duke punuar në aq shumë sfera për ta kontestuar, shantazhuar, por edhe për ta rrudhur e dobësuar rrugëtimin e shtetndërtimit dhe integrimit të Kosovës, sa që nuk po ngurron të përdor të gjitha mjetet (jo)diplomatike për ta kontestuar sovranitetin e Kosoves!
3. Meqë, edhe Asociacioni (Zajednica) është duke u bërë pjesë e arsenalit të luftës që është duke e zhvilluar Serbia, atëherë, ne si Kosovë këtij Asociacioni, s'duhet t'i themi asesi PO, por, JO këtij insistimi e presioni që seriozisht dhe fatalisht e kërcënon të ardhmen e shtetit. Si qeveri, ashtu edhe opozitë, medie, shoqëri civile, intelegjenci e qytetari DUHET t'i themi Jo Zajednices! Ngase, cilido qeveritar apo opozitar që do e bëjë këte hap, ai duhet të llogaris që do ta ketë në qafë gjithë qytetarinë.” – ka shkruar Maloku.
