“Evropiani po na pret”, Kurti bashkë me djalin e Adem Jasharit niset për të parë ndeshjen Shqipëri-Çeki
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është nisur drejt Tiranës për ta parë ndeshjen Shqipëri - Çeki , e cila është e vlefshme për kualifikim në kampionatin evropian të futbollit.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka postuar një fotografi me Lulzim Jasharin, djalin e komandantit legjendar Adem Jashari, duke treguar së rrugën drejt Tiranës janë duke e bërë bashkë.
Ai ka shkruar se Shqipërinë po e pret evropiani i futbollit.
“Bashkë me Lulzim Jasharin rrugës për Tiranë në përkrahje të Shqipërisë. Forca djema. Evropiani po na pret”, ka shkruar Kurti.
“Kuq e Zinjtë” janë rrugës së duhur për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian dhe me një fitore në stadiumin “Air Albania” mund të thuhet se “misioni” kryhet me sukses.
Ndeshja luhet sonte duke filluar nga ora 20:45 në Tiranë.