Eskalon Enver Dugolli: Kundërshtimet e Radojçiqit kriter për Prokurorinë e Kosovës
Enver Dugolli, zyrtar i Vetëvendosjes, e ka çuar në nivele të skajshme sulmin ndaj Prokurorisë së Kosovës, duke iu drejtuar Kryeprokurorit, Blerim Isufajt, se i përfill “kriteret” e Millan Radojçiqit.
“Pyetja është e thjeshtë: a janë kundërshtimet e Radoiçiqit kriter për Prokurorinë e Shtetit, apo ka ndonjë arsye tjetër që po e motivon z. Isufaj? Do të ishte mirë të na tregonte sot se cilat interesa po mbron, sepse s’na tregoi as atëherë kur i hoqi urdhër-arrestin po të njëjtit Radoiçiq”, tha ai.
Postimi i plotë:
Sipas Blerim Isufajt, ndërtimi i urave mbi lumin Ibër paska nevojë për hetim, sepse, sipas tij, “nuk mund të lejohet që në emër të patriotizmit të keqpërdoret buxheti i shtetit”. Sa mirë që kujtohet tani për buxhetin dhe jo atëherë kur heshti para keqpërdoruesve të vërtetë!
Në fakt, patriotizëm nuk është as fjalë boshe e as lojalitet i përkohshëm ndaj interesave të huaja, por angazhim i sinqertë për integrim dhe lëvizje të lirë të qytetarëve tanë në veri, njësoj si në çdo pjesë tjetër të Republikës së Kosovës.
Po ku i sheh z. Isufaj keqpërdorimet në ndërtimin e urave? Deri më tani, i vetmi “argument” kundër këtyre projekteve është kundërshtimi i Serbisë dhe Listës Serbe të Milan Radoiçiqit. Mjafton ky për të ndezur alarmin për hetime?
Pyetja është e thjeshtë: a janë kundërshtimet e Radoiçiqit kriter për Prokurorinë e Shtetit, apo ka ndonjë arsye tjetër që po e motivon z. Isufaj? Do të ishte mirë të na tregonte sot se cilat interesa po mbron, sepse s’na tregoi as atëherë kur i hoqi urdhër-arrestin po të njëjtit Radoiçiq.