Erdogan: Toka e pushtuar nga Rusia duhet t’i kthehet Ukrainës, përfshirë Krimenë - NACIONALE

Erdogan: Toka e pushtuar nga Rusia duhet t’i kthehet Ukrainës, përfshirë Krimenë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, ka thënë se e tërë toka e pushtuar nga Rusia duhet t’i kthehet Ukrainës, përfshirë Gadishullin e Krimesë, që është aneksuar nga Rusia më 2014.

“Nëse do të arrihet marrëveshje e paqes në Ukrainë, natyrisht, kthimi i tokës që është pushtuar, do të bëhet vërtet i rëndësishëm. Kjo është ajo që pritet. Kjo është ajo që dëshirohet. Putini ka bërë hapa të caktuar. Ne kemi bërë hapa të caktuar. Tokat që janë pushtuar, do t’i kthehen Ukrainës”, tha ai në një intervistë për “PBS NewsHour”.

I pyetur në mënyrë specifike për çështjen e Krimesë, presidenti turk u përgjigj: “Që nga viti 2014, ne kemi biseduar me mikun tim të dashur, Putinin, për këtë dhe kjo është ajo që e kemi kërkuar nga ai. Ne i kërkuam atij që t’ua kthejë Krimenë pronarëve të tyre të drejtë... Fatkeqësisht, nuk është bërë ndonjë hap përpara.”

Ai gjithashtu tha se ka diskutuar drejtpërdrejt me Putinin për luftën. “Në Uzbekistan, u bëra bashkë me presidentin Putin dhe patën diskutime shumë të gjera me të. Në të vërtetë, ai po më tregon se është shumë i gatshëm për t’i dhënë fund kësaj sa më shpejt që është e mundshme. Kjo ishte përshtypja ime, sepse mënyra se si po shkojnë gjërat tash për tash, është goxha problematike”, tha presidenti turk.

Lajme të ngjashme