Enver Hasani: Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është i qartë për politikën
Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të enjten që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka deklaruar se aktgjykimi i fundit i Gjykatës lidhur me moskonsistutimin e Kuvendit nuk është i qartë për politikën, për laikët dhe për adresuesit e tij.
“Ajo çka ka qenë e qartë, ka qenë e qartë. Por në këtë rast, aktgjykimi nuk është i qartë as konceptualisht. Nëse marrim shembullin e vendimit për rastin Pacolli, aty ishte e qartë se kujt i referohej – Jakup Krasniqit si ushtrues detyre. Pra, për hir të qartësisë dhe koherencës, është dashur të thuhet saktësisht çfarë kërkon Kushtetuta në këtë rast, duke u bazuar në nenin 90,” tha Hasani.
Ai theksoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk ekzekutohen në të njëjtën mënyrë si ato të gjykatave të rregullta, ku shteti ka mjete të drejtpërdrejta ekzekutive si dënimi penal apo ndalimi me burg.
“Në Evropë ekzistojnë dy sisteme: një pakicë shtetesh si Shqipëria, Rusia dhe Austria, ku vendimet e kushtetueses janë të zbatueshme me instrumente ligjorë dhe penalë, madje ekziston edhe një institucion garantues – si Presidenti në Austri apo Qeveria. Sllovenia po ashtu funksionon njësoj. Por Kosova i përket shumicës së vendeve ku vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të vetëzbatueshme dhe kanë fuqi më shumë morale sesa ekzekutive,” shpjegoi Hasani në RTV Dukagjini.