Emisari britanik: Asociacioni s’do të jetë Republika Srpska, të formohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës
Emisari i Britanisë së Madhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Stuard Peach ka deklaruar që Asociacioni duhet të fomrohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ai ka deklaruar se formimi i Asociacionit nuk është krijim i një Republika Srpska të dytë.
“Ne mbështesim dialogun, por ne nuk do të ulemi dhe ta hartojmë dialogun. Nuk na përket ne të themi se çfarë forme duhet të marrë ai. Por, kjo është çështje e pazgjidhur prej kohësh dhe qëndrimi ynë parimor është se, asociacioni nuk është – dhe po e përsëris nuk është – krijimi i një Republika Srpska të dytë. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe duhet të marrë parasysh interesat e të gjitha palëve. Do të vazhdojmë ta mbështesim dialogun dhe procesin që çon drejt normalizimit, që është synimi madhor.” – është shprehur ai.
Po ashtu, Peach ka deklaruar që Britania e Madhe mbështet përgjegjësit për hartimin e stauttit të Asociacionit, derisa theksoi që tani është koha për dialog.
“Pjesa qenësore e vizionit tonë është të mbështesim ata që do të jenë përgjegjës të hartojnë statutin e asociacionit dhe punën që ata po bëjnë qysh tani. Vazhdojmë ta mbështesim këtë përpjekje përmes procesit të Berlinit, që është një nismë e veçantë, por të gjithë janë të pranishëm, e mbështesim përmes pranisë tonë në NATO dhe përmes marrëdhënieve tona të gjithanshme në tërë Ballkanin në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë.Mesazhi im për palët do të ishte që për shkak të të gjitha konflikteve që kanë shpërthyer në botë, tani është koha për dialog, tani është koha të mos shikojmë vazhdimisht në të kaluarën, por të shohim drejt së ardhmes. Ballkani meritojnë të ardhme më të ndritshme.” – ka thënë ia.