Elon Musk-u e shndërron “Twitter”-in në “hotel” për stafin
Televizioni BBC ka siguruar fotografi të hapësirës së zyrave të rrjetit “Twitter”, të cilat janë shndërruar në dhoma gjumi. Autoritetet në San Francisko janë duke e hetuar këtë rast për shkelje të mundshme të kodit të ndërtesës.
Në një fotografi shihet një dhomë me shtrat për dy persona, përfshirë një gardërobë dhe pantoflat.
Një ish-punëtor tha se shefi i ri i “Twitter”-it, Elon Musk, ka qëndruar në selinë qendrore të kompanisë që nga koha e blerjes së rrjetit.
Departamenti i Inspektimit të Ndërtesave në San Francisko ka konfirmuar se është duke i hetuar shkeljet e mundshme pas paraqitjes së një ankese, shkruan televizioni BBC.
Miliarderi Musk tha se autoritetet lokale po i sulmojnë kompanitë që ofrojnë shtretër për “punëtorët e lodhur”.
Në një shkrim që tashmë e ka fshirë, ai tha në rrjetin e famshëm social se do të punonte e do të flinte në zyrë “derisa organizata të rregullohej”.
Televizioni BBC ka pranuar fotografi ku shihen edhe divane duke u shfrytëzuar si shtretër.
“Duket si dhomë hoteli”- tha një ish-punëtor i kësaj kompanie, duke shtuar se shefi rregullisht fle në selinë qendrore të “Twitter”-it në San Francisko.