“Elektroseveri” shkel afatet e përcaktuara me marrëveshje
Kompania serbe, Elektrosever, ka shkelur afatet e përcaktuara në Udhërrëfyesi për Zbatimin e Marrëveshjes së vitit 2013 për Energjinë, për të cilin Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord më 21 qershor.
Kjo kompani nuk i ka dorëzuar të dhënat e fundit për konsumatorët në Kompaninë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë - KEDS dhe te Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë - KOSTT.
Elektrosever, gjithashtu, nuk i ka nënshkruar ende marrëveshjet e nevojshme teknike me KEDS-in dhe KOSTT-in, për të operuar në tregun e Kosovës për energji, shkruan Radi Evropa e Lirë.
Këto obligime dalin nga Udhërrëfyesi për Zbatimin e Marrëveshjes së vitit 2013 për Energjinë, për të cilin Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord më 21 qershor.
Si rezultat i këtyre obligimeve, kompania Elektrosever është licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) më 24 qershor.
Kjo kompani do të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës së shpenzuar në veri të Kosovës - zonë e banuar me shumicë serbe.
Ajo është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, EPS (Elektroprivreda Srbije), por në Kosovë është themeluar me ligje të Kosovës.
Në një deklaratë ky operator i transmisionit thotë se kompania Elektrosever nuk ka vepruar në përputhje me pikën e dytë të Udhërrëfyesit për Zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë.
KOSTT-i shton se marrëveshjet e nevojshme teknike “janë nënshkruar” nga ana e tij, “në përputhje me format standarde të këtyre marrëveshjeve, të aprovuara nga ZRRE-ja” dhe se ato “janë dërguar për nënshkrim tek Elektroseveri, në afatin e paraparë sipas udhëzuesit”.
“Por, ende nuk i kemi pranuar të njëjtat të nënshkruara nga kompania Elektrosever. Jemi në pritje të konfirmimit nga furnizuesi Elektrosever”, thuhet në përgjigjen e KOSTT-it për Rel.