Ekspozoi të dhënat personale të konsumatorëve, gjobitet KRU “Prishtina”
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” është gjobitur nga ana e Agjencisë për Informim dhe Privatësi. Krejt kjo për arsyen e shkeljes së Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Kjo agjenci ka treguar se ka pranuar ankesa nga ana e qytetarëve për KRU “Prishtina”, nën dyshimin se kjo ndërmarrje ka shpërndarë faturat mujore duke i ekspozuar të dhënat personale.
“Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka pranuar ankesa nga qytetarët (subjektet e të dhënave), të cilët kanë raportuar se Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka bërë shpërndarjen e faturave mujore për shpenzimin e ujit duke i ekspozuar të dhënat personale të konsumatorëve ndaj qasjes së personave të paautorizuar” – ka njoftuar AIP-ja, transmeton KOHA.